Temperatura në rritje, fundjava sjell ditë të nxehta

 

Shqipëria nën pushtetin e vapës, temperaturat pritet të arrijnë deri në 39°C këtë fundjavë

Vendi ynë po përballet me një valë të fortë të nxehti, ndërsa temperaturat pritet të shënojnë vlera rekord për muajin qershor. Sipas meteorologes Tanja Porja, termometri mund të ngjitet deri në 39°C gjatë fundjavës, duke regjistruar temperatura rreth 6 gradë mbi mesataren klimatike të kësaj periudhe.

Meteorologia theksoi se rritja e temperaturave do të jetë e vazhdueshme gjatë ditëve në vijim, me vlera që do të kalojnë 35°C në disa prej qyteteve më të nxehta të vendit. Berati, Fieri dhe Elbasani pritet të kryesojnë listën e zonave më të prekura nga i nxehti, ndërsa temperatura të larta do të regjistrohen edhe në Shkodër, Gjirokastër dhe Tiranë.

Sipas saj, vlera të tilla janë të pazakonta për muajin qershor, kur temperaturat maksimale normale zakonisht luhaten rreth 30°C. Edhe gjatë muajve korrik dhe gusht, mesatarja sezonale zakonisht nuk i kalon 32-33°C.

Porja paralajmëroi gjithashtu se vera e këtij viti pritet të jetë ndër më të nxehtat e viteve të fundit. Ajo e lidhi këtë situatë me ndikimin e ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike, duke nënvizuar se parashikimet afatmesme tregojnë se periudha 2026-2029 mund të jetë ndër më të nxehtat e regjistruara.

Megjithatë, pavarësisht vapës së fortë gjatë ditës, orët e natës dhe të mëngjesit do të mbeten relativisht të freskëta, veçanërisht në zonat malore ku temperaturat mund të zbresin deri në 10-12°C. Ndërkohë, zonat bregdetare do të përfitojnë nga freskia e erës detare, duke krijuar kushte më të favorshme për pushuesit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *