Mijëra qytetarë janë mbledhur sërish para Kryeministrisë në protestën e 17-të radhazi kundër investimeve amerikane në Zvërnec, duke vijuar mobilizimin e tyre në qendër të Tiranës.
Organizatorët kanë njoftuar se duke nisur nga dita e nesërme, protesta do të zhvillohet në një orar të ri për shkak të temperaturave të larta. Tubimi do të nisë në orën 19:00 dhe më pas do të pasohet nga marshimi tradicional nëpër rrugët e kryeqytetit.
“Nga nesër do të takohemi në orën 19:00”, deklaroi një prej organizatorëve para protestuesve.
Në protestën e sotme janë vërejtur edhe qytetarë të huaj nga vende të ndryshme, përfshirë Australinë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilët mbanin simbole kombëtare shqiptare dhe flamuj me motive të flamingove.
Pas fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë, protestuesit pritet të marshojnë nëpër Tiranë, për t’u rikthyer më pas në pikën e nisjes. Në përfundim të tubimit, ata kanë përsëritur thirrjen që është kthyer në slogan të këtyre ditëve: “Nesër më shumë!”.