Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar në Mynih të Gjermanisë, ku një person ka humbur jetën pas përplasjes së dy trenave të mallrave.
Sipas autoriteteve lokale, ngjarja ndodhi gjatë orëve të natës, kur dy trenat u përfshinë në një përplasje që shkaktoi daljen nga shinat të disa vagonëve. Si pasojë e aksidentit, dy prej tyre ranë nga një urë hekurudhore.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë ekipet e emergjencës dhe specialistët e hekurudhave, ndërsa operacioni për largimin e vagonëve të dëmtuar dhe rikthimin e qarkullimit normal ka nisur që në orët e para të mëngjesit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se zona e aksidentit, në lagjen Milbertshofen të Mynihut, do të qëndrojë e bllokuar deri në përfundimin e punimeve dhe hetimeve për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, aksidenti nuk paraqet rrezik për banorët e zonës apo për publikun, ndërsa hetimet për rrethanat e përplasjes vijojnë.