Një ngjarje tragjike ka tronditur Gjermaninë, ku një foshnjë tre muajshe u gjet e pajetë më pak se 24 orë pasi ishte raportuar e rrëmbyer nga karroca e tij pranë banesës familjare në rajonin Baden-Württemberg.
Sipas mediave gjermane, nëna 37-vjeçare ka deklaruar se e kishte lënë foshnjën për pak minuta në karrocë jashtë shtëpisë, ndërsa u ngjit në katin e dytë për të marrë çantat e pazarit. Kur u kthye sërish, fëmija nuk ndodhej më aty.
Menjëherë pas raportimit të zhdukjes, policia organizoi një operacion të gjerë kërkimi, ku u angazhuan efektivë të shumtë, qen nuhatës dhe dronë për të kontrolluar zonën përreth.
Të premten pasdite, autoritetet gjetën trupin e një foshnjeje pranë përroit të lumit Rankbach. Hetuesit po punojnë për identifikimin zyrtar, ndërsa dyshohet se bëhet fjalë për foshnjën e zhdukur.
Duke folur për median gjermane BILD, gjyshja e foshnjës tregoi se nëna kishte dalë për pazar dhe ishte kthyer në banesë me disa çanta përpara se të ngjitej në apartament. Ndërkohë, policia po heton të gjitha pistat e mundshme, përfshirë edhe mundësinë që nëna dhe foshnja të jenë ndjekur gjatë rrugës së kthimit nga dyqani.
Sipas raportimeve lokale, ngjarja ndodhi rreth orës 22:00, ndërsa zhdukja e foshnjës u raportua rreth një orë e gjysmë më vonë. Një zëdhënës i policisë deklaroi se fëmija ishte lënë për një kohë të shkurtër pa mbikëqyrje, moment që dyshohet se është shfrytëzuar nga një person i panjohur për ta marrë nga karroca dhe për t’u larguar.