Ashtu siç kishte paralajmëruar më herët Selvija, bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, tashmë është publikuar projekti i tij më i ri muzikor.
Kënga me titull “Nana” është lansuar zyrtarisht në platformën YouTube dhe vjen si pjesë e premtimit të Selvisë për të sjellë para publikut krijimet që artisti kishte lënë të papërfunduara dhe që nuk arriti t’i publikonte gjatë jetës së tij.
Publikimi i këngës ka ngjallur emocione të mëdha te fansat, të cilët kanë pasur mundësinë të dëgjojnë edhe një herë zërin e artistit të dashur.
Një element që e bën këtë projekt edhe më prekës është videoklipi i realizuar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Në pamjet e videos, Shpati shfaqet me krahë engjëlli pranë nënës së tij, duke krijuar skena mjaft emocionuese që kanë prekur publikun.
Ky projekt pritet të jetë vetëm fillimi i publikimit të materialeve të tjera të lëna nga Shpat Kasapi, ndërsa Selvija ka shprehur vendosmërinë për të ruajtur dhe përcjellë më tej trashëgiminë artistike të këngëtarit.