Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në plazhin e Durrësit, ku një 11-vjeçar nga Tirana dyshohet se është mbytur aksidentalisht gjatë kohës që po lahej në det, rreth orës 10:35.
Sipas informacioneve paraprake, i mituri është nxjerrë nga uji nga persona të pranishëm në zonë, të cilët kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë deri në mbërritjen e ekipeve mjekësore. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij në vendin e ngjarjes.
Grupi hetimor ka nisur punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e shkakut të mbytjes.
Ngjarja ka tronditur pushuesit në zonë, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në det, sidomos në kushtet kur rrymat dhe thellësia mund të paraqesin rrezik.