Skip to content

Pas shpalljes “non grata”, Ikballe Huduti shpërthen ndaj Edi Ramës: Zbulon detaje të panjohura

Ikballe Huduti ka reaguar publikisht ndaj akuzave të kryeministrit Edi Rama, vetëm pak para se ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ta shpallte atë “non grata”. Reagimi i saj erdhi pasi Rama publikoi në rrjetet sociale një fotografi të Hudutit me ish-presidentin iranian Mahmoud Ahmadinejad, duke e akuzuar për qëndrime radikale të mbajtura në të kaluarën.

Në një postim në Facebook, Huduti shpjegon se pjesëmarrja e saj në protestë nuk lidhet me interesa personale apo politike, por me bindjet e saj patriotike dhe qytetare. Ajo thekson se ka dalë në mbështetje të popullit shqiptar, duke deklaruar se e shtyn dashuria për vendin dhe shqetësimi për problemet që, sipas saj, po përjeton shoqëria.

“Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi e vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim”, shkruan ajo.

Huduti shton se do të vazhdojë të mbrojë atë që e konsideron të vërtetë dhe të drejtë, duke theksuar se zëri i saj do të mbetet në shërbim të drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.

Në mesazhin e saj, ajo u bën thirrje autoriteteve shqiptare, udhëheqësve botërorë dhe Bashkimit Evropian të dëgjojnë zërin e qytetarëve protestues, duke theksuar se dialogu, drejtësia dhe respekti ndaj qytetarëve janë rruga për të shmangur përçarjet dhe konfliktet.

Në përfundim, Huduti shprehet se nuk kërkon armiqësi me askënd, por “paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë”, duke e mbyllur mesazhin me moton: “As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë.”

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *