Meteorologia e njohur, Lajda Porja, ishte e ftuar në emisionin “Wake Up”, ku dha parashikimin e motit për ditët në vijim, si edhe shpjegoi fenomenin klimatik “El Niño”, i cili sipas saj ka nisur në fillim të muajit maj në Oqeanin Paqësor dhe ka filluar të japë ndikimet e tij në nivel global.
Ajo theksoi se në fund të majit janë regjistruar thyerje rekordesh të temperaturave të larta në disa vende të Europës, si Portugalia, Franca dhe Spanja, ku termometri ka arritur deri në 38–39 gradë Celsius.
Duke folur për ndikimin në Shqipëri dhe rajon, Porja u shpreh se “El Niño”, edhe pse ndodh larg nesh, ndikon në qarkullimin e masave ajrore, duke favorizuar ardhjen e rrymave të nxehta nga Afrika e Veriut, Afrika Qendrore dhe Sahara. Këto masa, sipas saj, sjellin temperatura të larta dhe fenomene ekstreme të motit.
“El Niño” është një fenomen klimatik natyror që lidhet me ngrohjen e ujërave të Paqësorit dhe ka ndikim global. Sipas meteorologes, në periudhat kur ai është aktiv, priten temperatura mesatare më të larta në shumicën e globit gjatë 1–2 viteve në vijim. Kjo shoqërohet shpesh edhe me fenomene ekstreme si stuhi të forta, rrebeshe shiu dhe përmbytje, si pasojë e ndryshimeve të shpejta në qarkullimin atmosferik.
Ajo sqaroi gjithashtu se termi “El Niño” ka origjinë historike nga peshkatarët në Paqësor, të cilët vunë re ngrohjen e ujërave në periudhën e Krishtlindjeve, duke e lidhur me “fëmijën e Krishtit”. Më vonë u identifikua edhe fenomeni i kundërt, “La Niña”, që lidhet me ftohjen e ujërave të Paqësorit, si edhe periudhat neutrale të klimës.
Sipas Porjës, ky cikël klimatik është aktivizuar sërish në fillim të muajit maj dhe ka ndikuar menjëherë në rritjen e temperaturave. Në Europë, në fund të majit janë regjistruar temperatura të pazakonta për këtë periudhë, ndërsa qershori ka vijuar me vlera të larta termike.
Ajo shtoi se pothuajse i gjithë kontinenti europian po përjeton temperatura mbi normalen, për shkak të qarkullimit të masave të nxehta ajrore, ndërsa vetëm disa zona të Europës Lindore kanë mbetur më të freskëta.
Në Shqipëri, sipas saj, janë regjistruar temperatura deri në 38 gradë Celsius në disa qytete gjatë fundjavës së fundit.

Be First to Comment