Prokuroria e Posaçme (SPAK) po vijon hetimet në kuadër të një procedimi për pastrim parash dhe veprimtari të dyshuara kriminale, ku në fokus dyshohet të jetë edhe krijimi i një mediaje audiovizive në Shqipëri.
Sipas burimeve hetimore, nga analizimi i komunikimeve të siguruara përmes platformës Sky ECC dhe verifikimeve të kryera në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), është konstatuar krijimi i medias me emrin tregtar “Abeg TV”, e regjistruar në pronësi të Besnik Myftarit.
Hetuesit dyshojnë se Myftari, ish-drejtues i lartë në Top Channel, aktualisht ndodhet në arrati në Francë.
Sipas të dhënave paraprake, SPAK po verifikon burimin e financimeve dhe lidhjet e mundshme të kësaj medieje me anëtarë të një grupi kriminal.
Nga verifikimet e deritanishme rezulton se në këtë media janë punësuar rreth 10 gazetarë të njohur të tregut mediatik shqiptar.
Paralelisht, SPAK po shqyrton edhe procedurat e ndjekura nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) për licencimin e televizionit dhe radios, pasi ekzistojnë dyshime se licenca mund të jetë dhënë në kundërshtim me ligjin dhe nën ndikimin e veprimeve korruptive.
Sipas burimeve, në komunikimet e zhvilluara me anëtarë të dyshuar të një grupi kriminal, Besnik Myftari dyshohet t’i ketë informuar ata se kishte siguruar licencën për median, ndërsa dy konkurrentë të tjerë ishin skualifikuar nga gara.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e personave të përfshirë, si dhe burimin e fondeve të përdorura për ngritjen dhe funksionimin e medias.
Mësohet se për radion, Myftari dyshohet se ka kërkuar rreth 90 mijë euro nga përfaqësues të grupit.
Në listën e gazetarëve të punësuar në këtë media përmendet edhe një ish-këshilltar i ish-ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.

Be First to Comment