Të enjten, më 23 korrik, pritet të zhvillohet seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, ku në fokus do të jetë vetëm votimi i raporteve për reformën territoriale.
Në Kuvend do të dorëzohen dy raporte, njëri nga Partia Socialiste dhe tjetri nga Partia Demokratike. Duke pasur parasysh shumicën parlamentare, pritet që të miratohet raporti i socialistëve, të cilët kanë 84 votat e nevojshme në Kuvend.
Ende nuk është e qartë nëse PS do të shoqërojë raportin e saj edhe me një propozim konkret për hartën e re territoriale. Debati kryesor lidhet me numrin e bashkive: nëse vendi do të vijojë të ketë 61 bashki, apo do të propozohet një ndarje e re territoriale me 50 ose edhe 40 bashki.
Sipas burimeve, ndryshimet e propozuara pritet të fokusohen vetëm te harta territoriale, pa ndërhyrje në ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe atë për financat vendore. Këto çështje pritet të diskutohen gjatë sesionit të ri parlamentar, i cili nis në muajin shtator.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse deri në seancën e së enjtes mazhoranca do të konkretizojë deklaratat e saj dhe do të paraqesë për votim një hartë të re territoriale me më pak bashki.

Be First to Comment