Rama u përgjigjet thirrjeve për dorëheqje me një postim ironik: “Dorëhiqu… në 2030!”
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale ndaj thirrjeve për dorëheqje, duke publikuar një mesazh me tone ironike, ku rendit një sërë arritjesh që, sipas tij, janë realizuar gjatë qeverisjes së tij.
Në postimin e publikuar këtë mëngjes, Rama përmend zhvillimet në infrastrukturë, turizëm, ekonomi, rritjen e pagave, integrimin europian dhe transformimin e zonave urbane e rurale, duke i paraqitur ato si arsye pse nuk sheh vend për dorëheqje.
Mes të tjerash, ai përmend ndërtimin e aeroporteve, rritjen e numrit të turistëve, hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, zhvillimet në ekonomi, si edhe investimet në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë.
Në mesazhin e tij, kryeministri thekson gjithashtu se protestat zhvillohen në mënyrë paqësore dhe se Shqipëria, sipas tij, gëzon sot një pozicion më të mirë në arenën ndërkombëtare.
Postimin e mbyll me frazën ironike: “Dorëhiqu… në 2030!”, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të largohet nga detyra përpara përfundimit të mandatit të tij.

Be First to Comment