Mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Dollenberg, ka dhënë disa këshilla për përballimin e temperaturave të larta që po mbizotërojnë këto ditë.
Në një lidhje direkte në emisionin “Dita Jonë”, ajo u shpreh se gjatë vapës është e rëndësishme marrja e rregullt e lëngjeve, duke rekomanduar konsumimin e ujit me pak kripë në intervale të shpeshta, për të shmangur dobësinë muskulore dhe simptomat si lodhja, dhimbjet e kokës apo marramendja.
Sipas saj, këto shqetësime shfaqen shpesh si pasojë e humbjes së kripërave minerale gjatë temperaturave të larta dhe mund të parandalohen nëse trupi hidratohet në mënyrë të vazhdueshme dhe në kohë.
Dollenberg theksoi gjithashtu rëndësinë e konsumimit të frutave dhe perimeve të stinës gjatë verës, ndërsa paralajmëroi për kujdes me ushqimet e përpunuara, të cilat sipas saj mund të jenë më të dëmshme në kushte temperaturash të larta.
Ajo nënvizoi se kujdesi ndaj ushqyerjes dhe hidratimit është thelbësor për të përballuar më lehtë ditët e nxehta dhe për të ruajtur mirëqenien e organizmit.

Be First to Comment