Rama reagon për koncertin e Kanye West: Nuk ishte thjesht një koncert, por një investim për Shqipërinë
Kryeministri Edi Rama ka komentuar debatin e krijuar pas koncertit të Kanye West në Tiranë, ndërsa opozita ka paralajmëruar se do të dorëzojë një kallëzim në SPAK lidhur me fondet publike të përdorura për organizimin e aktivitetit.
Në reagimin e tij, Rama u shpreh se ngjarja nuk duhet parë vetëm për koston financiare, por për ndikimin ekonomik dhe promovimin që, sipas tij, i solli Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Sipas kryeministrit, koncerti u kthye në një lajm global falë jehonës në rrjetet sociale dhe famës së artistit, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes së medias dhe publikut ndërkombëtar.
Ai kritikoi edhe zërat që kundërshtuan organizimin e eventit, duke thënë se argumenti se “populli nuk ka bukë” është një debat që, sipas tij, nuk pasqyron mënyrën se si zhvillohet ekonomia e një vendi.
Rama theksoi se një investim i tillë nuk sjell vetëm një aktivitet artistik, por krijon të ardhura për hotelet, restorantet, bizneset e transportit, shërbimet e sigurisë dhe sektorë të tjerë të ekonomisë, ndërsa një pjesë e këtyre fitimeve rikthehen në buxhetin e shtetit përmes taksave.
Sipas tij, organizimi i eventeve të përmasave të tilla ndihmon edhe në promovimin e Shqipërisë si një vend i sigurt, mikpritës dhe tërheqës për turistët dhe investitorët.
Ndërkohë, debati mbi financimin e koncertit vijon, ndërsa është paralajmëruar se çështja do t’i drejtohet edhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila pritet të shqyrtojë pretendimet lidhur me përdorimin e fondeve publike për organizimin e aktivitetit.

Be First to Comment