Prokuroria e Posaçme (SPAK) po vijon hetimet në kuadër të një procedimi për pastrim parash dhe veprimtari të dyshuara kriminale, ku në fokus dyshohet të jetë edhe krijimi i një mediaje audiovizive në Shqipëri.
Sipas burimeve hetimore, nga analizimi i komunikimeve të siguruara përmes platformës Sky ECC dhe verifikimeve të kryera në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), është konstatuar krijimi i një medie me emrin tregtar “Abeg TV”, e regjistruar në pronësi të Besnik Myftarit.
Hetuesit dyshojnë se Myftari, ish-drejtues i lartë në Top Channel, aktualisht mund të ndodhet jashtë vendit, konkretisht në Francë.
Sipas të dhënave paraprake, SPAK po verifikon burimin e financimeve dhe lidhjet e mundshme të kësaj medieje me persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal.
Nga verifikimet e deritanishme rezulton se në këtë media janë punësuar rreth 10 gazetarë të njohur të tregut mediatik shqiptar.
Paralelisht, SPAK po shqyrton edhe procedurat e ndjekura nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) për licencimin e televizionit dhe radios, pasi dyshohet se licenca mund të jetë dhënë në kundërshtim me ligjin dhe nën ndikimin e veprimeve të paligjshme.
Sipas burimeve, në komunikime të ndryshme me persona të dyshuar, Besnik Myftari dyshohet se ka deklaruar se kishte siguruar licencën për median, ndërsa dy konkurrentë të tjerë ishin skualifikuar nga gara.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e personave të përfshirë, si dhe burimin e fondeve të përdorura për ngritjen dhe funksionimin e medias.
Mësohet gjithashtu se për ngritjen e radios, dyshohet se është kërkuar një shumë prej rreth 90 mijë eurosh.
Në listën e të punësuarve në këtë media përmendet edhe një ish-këshilltar i ish-ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha.

Be First to Comment