Skip to content

Njoftim i policisë për ngjarjen në Tiranë

Aksidentet rrugore kanë shënuar rritje në Shqipëri gjatë muajit maj. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, të cilat bazohen në burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, gjatë muajit të kaluar u regjistruan 133 aksidente, nga 116 që ishin në maj të vitit 2025. Si pasojë e tyre, 181 persona mbetën të lënduar ose humbën jetën, krahasuar me 157 një vit më parë.

Edhe gjatë pesë muajve të parë të vitit është vënë re një rritje e numrit të aksidenteve. Nga janari deri në maj janë regjistruar 547 aksidente rrugore, me një rritje prej 3.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat tregojnë se rritja më e madhe është regjistruar në Tiranë, ku numri i aksidenteve në muajin maj është rritur nga 30 në 53. Rritje janë shënuar gjithashtu në Durrës dhe Vlorë, me nga 11 aksidente secili, krahasuar me 7 një vit më parë. Në rritje rezultojnë edhe Elbasani, nga 6 në 7 aksidente, si dhe Berati, ku është shënuar një aksident, ndërsa në maj të vitit të kaluar nuk ishte regjistruar asnjë rast.

Nga ana tjetër, disa qarqe kanë shënuar ulje të numrit të aksidenteve. Shkodra ka regjistruar rënien më të madhe, nga 13 në 7 aksidente, ndërsa ulje janë shënuar edhe në Lezhë (nga 15 në 11), Korçë (nga 9 në 6) dhe Gjirokastër (nga 8 në 5). Në Fier dhe Dibër numri i aksidenteve ka mbetur i pandryshuar, ndërsa Kukësi ka regjistruar të njëjtin nivel si një vit më parë.

Sipas të dhënave, 94% e aksidenteve të regjistruara gjatë muajit maj kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 25–34 vjeç përfaqëson 30.8% të drejtuesve të përfshirë në aksidente. Dita e diel rezulton me numrin më të lartë të aksidenteve, me 18% të totalit, ndërsa periudha 08:00–12:00 mbetet intervali kohor kur ndodhin më shpesh aksidentet rrugore.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *