Të shtëna me armë në Mat, qëllohet me breshëri ndaj një “Audi”-je – gjenden dy kallashnikovë në një makinë të djegur
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e 12 shtatorit në fshatin Urakë, Njësia Administrative Rukaj, në Bashkinë Mat, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar në oborrin e një banese.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:10. Automjeti tip “Audi”, në pronësi të shtetases S. Ll., bashkëshortja e shtetasit A. Ll., ka pësuar dëmtime materiale nga të shtënat. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe, në bashkëpunim me DVP Dibër, kanë ngritur pika kontrolli në zonë. Grupi hetimor ka nisur menjëherë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe mbledhjen e provave.
Gjendet një makinë e djegur, brenda saj dy kallashnikovë
Gjatë kontrolleve në territor, rreth dy kilometra larg vendit ku ndodhën të shtënat, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, policia ka gjetur të djegur një automjet tip “Golf V”.
Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur brenda tij dy armë zjarri kallashnikov, të cilat ishin dëmtuar pjesërisht nga zjarri. Armët janë sekuestruar dhe do t’i nënshtrohen ekzaminimeve për të përcaktuar nëse janë përdorur në sulmin me armë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se automjeti “Golf V” ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan që prej 31 korrikut 2025, pasi pronari i tij, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, kishte denoncuar vjedhjen e mjetit.
Policia po vijon kontrollet në zonat ku dyshohet se mund të kenë lëvizur autorët, ndërsa për zbardhjen e ngjarjes po bashkëpunohet edhe me strukturat e DVP Tiranë, Lezhë dhe Kukës.
Hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes, identifikuar autorët dhe siguruar provat që mund të çojnë në kapjen e tyre.
