Policia e Kosovës përgatit masa të veçanta për 16 shtatorin
Policia e Kosovës ka hartuar një plan të posaçëm operacional për 16 shtatorin, ditën kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Masat e sigurisë do të nisin një ditë më herët, më 15 shtator. Sipas informacioneve të bëra publike, në këtë datë do të ndërpriten pushimet vjetore për zyrtarët policorë që ndodhen brenda territorit të Kosovës.
Po ashtu, kërkesat e reja për pushime nuk do të miratohen gjatë kësaj periudhe, si pjesë e masave të ndërmarra për garantimin e sigurisë.
Më 16 shtator do të vihet në zbatim plani i veçantë operacional, ndërsa zyrtarët policorë që ndodhen në Kosovë do të jenë në dispozicion dhe do të angazhohen sipas nevojave dhe planifikimit të përcaktuar.
Masat lidhen me përgatitjet e institucioneve të sigurisë për ditën kur pritet vendimi në Hagë, në një moment me rëndësi të veçantë për Kosovën.
