Pas 17 vitesh heshtje, djali i Franc Konomit rrëfen dhimbjen: “Deshën të më vrisnin edhe mua dy herë”
Pas 17 vitesh nga vrasja e Franc Konomit, familjarët e tij kanë folur publikisht për dhimbjen dhe pasojat që ajo ngjarje la pas në familje.
Djali i tij, Xhoni, së bashku me nënën e tij, Rovena, ishin të ftuar në rubrikën “Shihemi në Gjyq”, ku rrëfyen detaje të dhimbshme për jetën e tyre pas humbjes së Franc Konomit.
Mes emocionesh dhe lotësh, Xhoni tregoi se prej vitesh jeton me dhimbjen e humbjes së babait, ndërsa zbuloi edhe se kishte qenë vetë në shënjestër të atentateve.
“Unë nuk po dal vetëm për të drejtën time, por edhe për motrën time. Po dal për një dhimbje që ka 17 vite dhe që nuk e di askush”, u shpreh ai.
Xhoni tregoi se babai i tij u vra kur ai ishte vetëm 15 vjeç dhe se, pas ngjarjes, ai vetë ishte përballur me dy tentativa për t’i marrë jetën.
“Kur më vranë babin, deshën të më vrisnin edhe mua dy herë. Zoti e di që më ka mbrojtur”, rrëfeu ai.
Djali i Franc Konomit tregoi gjithashtu për vështirësitë emocionale me të cilat është përballur ndër vite, duke thënë se humbja e babait e kishte rënduar aq shumë sa në një moment kishte menduar edhe t’i jepte fund jetës.
Ai u shpreh se ishte rritur kryesisht me gratë e familjes dhe se mungesa e të atit kishte lënë një boshllëk të madh në jetën e tij.
“E kam parë babin vetëm gjashtë javë në verë. Iku kur unë isha 15 vjeç”, tha Xhoni, duke kujtuar vitet e tij të fëmijërisë.
Vrasja e Franc Konomit
Franc Konomi u ekzekutua më 8 korrik 2010, pranë zonës së “Pazarit të Ri” në Tiranë. Ai u qëllua me 10 plumba dhe u gjet i vrarë brenda automjetit të tij tip “Mercedes-Benz”, me ngjyrë të zezë.
Konomi ishte një prej personazheve të njohur të botës së krimit në Tiranë gjatë viteve ’90 dhe konsiderohej si një prej të rinjve që në atë periudhë kishin krijuar reputacion si figura të forta të botës kriminale.
Pas shumë vitesh, rrëfimi i djalit të tij ka rikthyer në vëmendje jo vetëm vrasjen e bujshme, por edhe pasojat e rënda që ajo la pas te familjarët.
