Nis viti i ri shkollor, Kumbaro sqaron programin “Pas Shkolle”: Ja çfarë ofron
Të hënën, më 14 shtator, nis zyrtarisht viti i ri shkollor. Në prag të rikthimit të nxënësve në banka, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka dhënë sqarime për prindërit lidhur me programin “Pas Shkolle”.
Sipas Kumbaros, bëhet fjalë për një program të ri, i cili këtë vit do të zbatohet në 408 shkolla publike në të gjithë Shqipërinë.
Programi synon t’u krijojë nxënësve mundësi që pas përfundimit të mësimit të angazhohen në aktivitete dhe klube të ndryshme, të zbulojnë interesa e talente të reja, të socializohen me bashkëmoshatarët dhe të kalojnë kohë cilësore në ambientet e shkollës.
Megjithatë, ministrja ka theksuar se pjesëmarrja në “Pas Shkolle” nuk është e detyrueshme.
Prindërit dhe fëmijët do të zgjedhin aktivitetet
Kumbaro ka sqaruar se në javët e para prindërit, së bashku me fëmijët e tyre, do të kenë mundësinë të zgjedhin klubet dhe aktivitetet ku dëshirojnë të marrin pjesë.
Më pas, do të nisë organizimi i klubeve dhe zgjatja e qëndrimit të nxënësve në shkollë me rreth dy orë pas përfundimit të mësimit.
Ministrja thekson se “Pas Shkolle” nuk duhet parë thjesht si një mënyrë për të mbajtur fëmijët në shkollë deri në përfundimin e orarit të punës së prindërve, por si një program i orientuar drejt zhvillimit të interesave dhe aftësive të tyre.
Sipas saj, interesi për shkollën publike është rritur dhe mundësitë e reja që po krijohen synojnë t’i japin nxënësve më shumë alternativa për të mësuar, bashkëpunuar dhe zhvilluar talentet e tyre.
Kumbaro ka bërë gjithashtu thirrje për një komunikim të vazhdueshëm mes prindërve dhe drejtuesve të shkollave, nëndrejtorëve dhe mësuesve gjatë zbatimit të programit.
