Skip to content

Moti ndryshon papritur! Reshjet rikthehen, ja çfarë pritet në ditët e ardhshme

Ndryshon moti gjatë fundjavës, rikthehen reshjet dhe bien temperaturat

Moti pritet të ndryshojë gjatë fundjavës, me shtim të vranësirave dhe rikthim të reshjeve të shiut në pjesën më të madhe të vendit. Në disa zona, reshjet mund të shoqërohen me shtrëngata, shkarkesa elektrike dhe breshër.

Sipas sinoptikanes Eneida Doçi, ndryshimi i situatës meteorologjike nis që sot, kur pritet shtim gradual i vranësirave, veçanërisht në veri, perëndim dhe përgjatë zonave malore. Reshje afatshkurtra dhe lokale mund të shfaqen gjatë pasdites, ndërsa në mbrëmje vranësirat do të bëhen më të dendura në të gjithë territorin.

Gjatë ditës së nesërme, moti do të jetë i paqëndrueshëm, me alternime të kthjellimeve dhe vranësirave mesatare deri të dendura. Reshjet e shiut priten që në orët e para të ditës dhe do të jenë prezente gjatë gjithë ditës.

Në zonat lindore nuk përjashtohen shtrëngatat dhe shkarkesat elektrike, ndërsa në relievet malore mund të ketë edhe reshje breshëri.

Të dielën, paqëndrueshmëria do të vijojë, ndërsa reshjet pritet të jenë më të pranishme në jug të vendit.

Ndërkohë, e hëna pritet të sjellë një përmirësim të përkohshëm të kushteve atmosferike, por nga e marta situata pritet të përkeqësohet sërish, me rikthim të motit të paqëndrueshëm.

Temperaturat në ulje

Gjatë fundjavës, era do të fryjë me shpejtësi rreth 8 m/s, ndërsa në relievet malore dhe përgjatë bregdetit, herë pas here, mund të arrijë deri në 16 m/s.

Në zonat malore, temperaturat minimale pritet të zbresin deri në 13°C, ndërsa maksimalet nuk pritet të kalojnë 30°C. Në zonat e ulëta temperaturat do të luhaten nga 19°C deri në 34°C, ndërsa përgjatë bregdetit nga 22°C deri në 34°C.

Nga dita e diel pritet një tjetër ulje, e përkohshme, e temperaturave, të cilat parashikohet të luhaten nga 12°C deri në 32°C.

Published inNews Shqip