Avokati Kujtim Cakrani ka njoftuar përfundimin e marrëdhënies së përfaqësimit ligjor me Ilir Metën. Vendimi është bërë publik përmes një deklarate të studios ligjore, ku thuhet se bashkëpunimi është ndërprerë për shkak të humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm gjatë procesit gjyqësor.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë pas seancës së fundit gjyqësore dhe në përputhje me rregullat etike që rregullojnë profesionin e avokatit.
Seanca e zhvilluar të mërkurën u shoqërua me tensione mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Debatet u përqendruan te Ardian Shatku, kushëriri i Kryemadhit, i cili përmendet në dosjen hetimore. Gjatë seancës pati shkëmbim akuzash dhe replikash mes dy ish-bashkëshortëve.
Pas përfundimit të seancës, Cakrani deklaroi për mediat se situata nuk duhet interpretuar si një konflikt personal, por si një debat i lidhur me çështjen e Ardian Shatkut dhe rolin e tij në hetim.
Ndërkohë, pas seancës, Monika Kryemadhi dhe Elona Guri janë fotografuar duke drekuar me avokatin Kujtim Cakrani në një restorant në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Fotot e publikuara në media kanë ngjallur reagime dhe diskutime.
Sipas raportimeve mediatike, pikërisht zhvillimet pas seancës, përfshirë qëndrimet publike të Cakranit dhe takimin me Kryemadhin, dyshohet se kanë ndikuar në prishjen e besimit mes Ilir Metës dhe avokatit të tij, çka çoi në përfundimin e bashkëpunimit ligjor mes tyre.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një deklaratë nga Ilir Meta që të konfirmojë se këto kanë qenë arsyet e ndërprerjes së marrëdhënies me avokatin, ndërsa studioja ligjore ka përmendur vetëm humbjen e mirëbesimit dhe mungesën e bashkëpunimit si bazë të vendimit.

Be First to Comment