Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se fillimisht duhet të përfundojë procesi i certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), përpara se të nisin bisedimet për krijimin e institucioneve të reja.
Ai theksoi se, sapo të certifikohen rezultatet dhe të përfundojë shqyrtimi i ankesave, do të zhvillohen pa vonesë komunikimet dhe diskutimet e nevojshme me subjektet politike.
“Fillimisht duhet të presim certifikimin e rezultateve. Pas përfundimit të këtij procesi dhe shqyrtimit të ankesave, do të nisim pa humbur kohë komunikimet dhe diskutimet e nevojshme”, u shpreh Kurti.
I pyetur nga gazetarët se cilën parti e preferon për një koalicion të mundshëm qeverisës, Kurti nuk dha një përgjigje konkrete, duke thënë se ishte në nxitim.
Kosova mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme më 7 qershor, pasi legjislatura e kaluar nuk arriti ta zgjidhte presidentin e ri të vendit. Edhe Kuvendi i ri pritet të përballet me të njëjtën sfidë pas konstituimit të tij. Megjithatë, nga Lëvizja Vetëvendosje është bërë e ditur se fillimisht synohet votimi i Qeverisë së re dhe më pas zgjedhja e Presidentit.

Be First to Comment