Detaje të reja kanë dalë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Agonas të Kavajës, ku një konflikt mes dy vëllezërve ka përfunduar me vrasjen e njërit prej tyre, 74-vjeçarit Eqerem Rreshka.
Sipas burimeve, viktima kishte shkuar për të marrë dhe transportuar dengje bari me zetor në arë. Gjatë kthimit, ai është hasur me vëllain e tij më të madh, 76-vjeçarin Muharrem Rreshka, i cili dyshohet të jetë edhe autori i ngjarjes. Fillimisht mes tyre ka pasur një debat verbal, ku mësohet se autori i kishte kërkuar viktimës të mos kalonte në atë rrugë, ndërsa ky i fundit e kishte shtyrë me zetor.
Pas konfliktit verbal, 76-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë një mjet prerës dhe e ka goditur vëllain e tij disa herë. Burime bëjnë me dije se pas ngjarjes ai ka shprehur pendesë. Gjithashtu, mësohet se i dyshuari ushtronte detyrën e kryeplakut të fshatit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, teksa të dy vëllezërit ndodheshin në arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë. Pas plagosjes, viktima është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por ka ndërruar jetë rrugës si pasojë e plagëve të marra.
Policia ka ndërhyrë menjëherë duke arrestuar autorin e dyshuar, i cili është shoqëruar në ambientet e komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Be First to Comment