Ka ndërruar jetë këmbësori i aksidentuar në Zahaq të Pejës
Ka marrë fund në mënyrë tragjike aksidenti i rëndë që ndodhi më 23 qershor në fshatin Zahaq të Pejës, pasi ka ndërruar jetë këmbësori i cili ishte goditur nga një automjet.
Sipas burimeve, viktima është 39-vjeçari Diamant Goska, i cili qëndroi për disa ditë në gjendje të rëndë shëndetësore, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë pasditen e së enjtes.
Nga hetimet paraprake rezulton se aksidenti kishte ndodhur në rrugën Pejë–Klinë, pranë pikës së karburantit “Swiss Oil” në fshatin Zahaq. Dyshohet se drejtuesi i një automjeti Volkswagen, 51-vjeçari Bashkim Kuqi, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, ka goditur këmbësorin në momentin kur ai po kalonte rrugën.
Si pasojë e përplasjes, 39-vjeçari pësoi lëndime të rënda trupore dhe u dërgua menjëherë për trajtim mjekësor, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetojë.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa Njësia Rajonale e Hetimeve të Aksidenteve në Pejë po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Be First to Comment