Një aksident tragjik në vendin e punës i ka marrë jetën një 27-vjeçari shqiptar në Itali.
Floriano Cani, 27 vjeç, me banim në Gemona del Friuli, ndërroi jetë më 30 qershor në një spital në Padova, katër ditë pasi u plagos rëndë gjatë një aksidenti në punë në Due Carrare.
Sipas mediave italiane, i riu u shtyp nga një shtyllë telekomunikacioni teksa po kryente detyrën. Pas aksidentit ai humbi ndjenjat dhe u transportua me urgjencë në spital me helikopter, ku u shtrua në repartin e kujdesit intensiv.
Mjekët bënë çdo përpjekje për t’i shpëtuar jetën, duke e trajtuar në mënyrë intensive, por plagët e marra rezultuan fatale dhe 27-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte dëmtimeve.
Raportohet se gjendja e tij ishte kritike që në momentet e para pas aksidentit. Vdekja e Floriano Canit është një tjetër rast tragjik i humbjes së jetës në vendin e punës në provincën e Padovës, duke rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë së punëtorëve.
Pas ngjarjes reagoi edhe Roberto Toigo, sekretari i përgjithshëm i UIL Veneto, i cili kërkoi masa më të forta për mbrojtjen e punonjësve.
“Veneto është sërish në zi për një tjetër viktimë në vendin e punës. Pas katër ditësh në spital, punëtori shqiptar i plagosur nga shembja e një shtylle në Due Carrare ka ndërruar jetë. Fatkeqësisht, numri i viktimave po rritet, në një vit që e ka rikthyer rajonin tonë mes zonave me më shumë aksidente fatale. Siguria dhe shëndeti në vendin e punës duhet të jenë prioritet absolut, me një angazhim të përbashkët për të ndalur këtë bilanc tragjik”, deklaroi Toigo.

Be First to Comment