Skip to content

Deklarata e fortë e Klodian Brahos për BKH dhe SPAK: “Ka diçka që duhet parë me kujdes”

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, raportoi këtë të premte në Komisionin e Ligjeve, ku sqaroi marrëdhënien e SPAK me Policinë e Shtetit dhe rolin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Duke iu përgjigjur diskutimeve mbi perceptimin se operacionet e SPAK po mbështeten gjithnjë e më shumë te prokurorët e posaçëm dhe oficerët e BKH-së, Braho theksoi se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit mbetet i ngushtë dhe funksional.

Ai vlerësoi punën e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke e cilësuar këtë institucion si një partner të pazëvendësueshëm. Sipas tij, megjithëse mund të ketë raste individuale të punonjësve që përballen me probleme ligjore, kjo nuk cenon bashkëpunimin mes dy institucioneve.

“Gjatë vitit 2025 janë rritur referimet penale të Policisë së Shtetit drejt SPAK dhe edhe këtë vit kemi pasur referime të rëndësishme. Kemi vlerësimin maksimal për shumicën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Si në çdo institucion, mund të ketë individë që kanë probleme me ligjin ose ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime. Policia mbetet partneri ynë i pazëvendësueshëm dhe suksesi ynë është i lidhur ngushtë me të. Presim edhe më shumë prej saj. Veprimet që kryen BKH, përfshirë arrestimet dhe kontrollet, janë proceduriale. SPAK duhet të ruajë pavarësinë institucionale dhe të jetë në gjendje të përmbushë të gjithë ciklin e hetimit, pa zëvendësuar Policinë e Shtetit”, deklaroi Braho.

Gjatë raportimit, kreu i SPAK u ndal edhe te çështja e pasurive të sekuestruara, duke theksuar se asetet e krijuara nga aktiviteti kriminal përbëjnë një rrezik serioz për ekonominë dhe duhet të konfiskohen.

“Pasuritë që burojnë nga veprat penale janë si një tumor për ekonominë. Ato fuqizojnë grupet kriminale dhe ushqejnë korrupsionin në administratë, ndaj sekuestrimi dhe konfiskimi i tyre është i domosdoshëm. Ndërkohë, interesat e ligjshme të personave të tretë, si kontraktorët dhe nënkontraktorët, do të mbrohen nga SPAK. Kemi përballë një sfidë të madhe për shkak të vlerës dhe numrit të pasurive, por deri tani kemi arritur ta menaxhojmë me sukses. Jemi vetëm në muajin korrik dhe deri në fund të vitit priten edhe raste të tjera sekuestrimesh”, u shpreh Braho.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *