Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti një fjalim me tone patriotike gjatë festimeve të Ditës së Pavarësisë, duke theksuar se Amerika ndodhet në një nga periudhat më të forta të historisë së saj.
Në nisje të fjalës së tij, Trump bëri shaka me vonesën e shkaktuar nga moti i keq, duke iu drejtuar të pranishmëve me fjalët: “Mirëmbrëma, Amerikë. Nëse mendoni se ishte e lehtë, nuk ishte. Ju jeni njerëz shumë të veçantë dhe ne kemi një vend shumë të veçantë.”
Duke kujtuar rrugëtimin historik të SHBA-së, presidenti vlerësoi arritjet e vendit dhe deklaroi se Amerika po ecën më mirë se kurrë më parë.
“Sot vendi ynë është më i fortë, më i lirë, më i pasur, më i sigurt dhe më krenar se në çdo periudhë tjetër”, u shpreh ai.
Gjatë ceremonisë, Trump prezantoi edhe një koleksion flamujsh historikë, të cilët sipas tij valëviteshin 250 vjet më parë, në kohën kur Shtetet e Bashkuara fituan pavarësinë nga Anglia.
Ai theksoi se liria mbetet vlera më e shenjtë për amerikanët. “Amerikanët nuk do të lejojnë kurrë askënd t’ua marrë lirinë. Kjo nuk do të ndodhë”, deklaroi presidenti.
Trump u ndal gjithashtu te rikthimi i asaj që e quajti “Ëndrra Amerikane”, duke theksuar se ajo është më e fortë se kurrë. “Nuk e kemi pasur kurrë Ëndrrën Amerikane siç e kemi tani. Ajo është rikthyer dhe është më e fuqishme se kurrë”, tha ai.
Në fund të fjalimit, presidenti vlerësoi ushtrinë amerikane, duke kujtuar investimet e bëra gjatë mandatit të tij të parë. Sipas tij, forcat e armatosura amerikane janë tashmë “më të forta dhe më të fuqishme se kurrë”, ndërsa e përmbylli mesazhin me deklaratën: “Amerika është një komb fituesish dhe ne po fitojmë si kurrë më parë.”

Be First to Comment