Një rast i dyshuar i dhunës në familje është raportuar në Pejë, ku një i ri dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, duke e detyruar atë të largohet nga banesa së bashku me katër fëmijët.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur pasditen e 7 korrikut, rreth orës 16:50, në rrugën “Gusia” në Pejë.
Dyshohet se konflikti nisi ndërsa gruaja ishte duke biseduar në telefon. Bashkëshorti i saj tentoi t’ia merrte telefonin celular, ndërsa pas refuzimit, ai dyshohet se e sulmoi fizikisht, duke e goditur dhe ofenduar atë, si edhe familjarët e saj.
Për të qetësuar situatën ndërhyri edhe nëna e të dyshuarit, e cila më pas njoftoi Policinë.
Megjithëse nuk kishte lëndime të dukshme dhe refuzoi trajtimin mjekësor, gruaja deklaroi se ndihej e frikësuar nga bashkëshorti dhe se nuk dëshironte të kthehej më në banesën familjare.
Me asistimin e Policisë dhe të një punonjësi të Qendrës për Punë Sociale, ajo u kthye në banesë vetëm për të marrë katër fëmijët dhe sendet personale. Më pas u sistemua në Shtëpinë e Sigurt së bashku me fëmijët.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë. Gjithashtu është njoftuar edhe Mbrojtësi i Viktimave, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po vazhdojnë.
Be First to Comment