Historia e dhimbshme e Ronald Gjokës: studenti shqiptar që u shpëtua nga Cristiano Ronaldo humb jetën tragjikisht
Në prag të Kupës së Botës 2026, bota e futbollit është prekur nga një ngjarje e rëndë që ka rikthyer në kujtesë një nga historitë më njerëzore të këtij sporti.
Ronald Gjoka, studenti shqiptar i cili u bë i njohur në vitin 2013 pasi hyri në fushë për të përqafuar Cristiano Ronaldon gjatë një ndeshjeje mes Real Madridit dhe Chelseat në Miami, ka humbur jetën në mënyrë tragjike pas një aksidenti automobilistik në Florida.
Në atë kohë, Gjoka u arrestua pasi hyri në fushë pa leje dhe përfundoi në paraburgim, duke u përballur me pasoja ligjore që mund të ndikonin në të ardhmen e tij dhe qëndrimin në Shtetet e Bashkuara. Gjatë atij momenti emocional, ai i kishte thënë yllit portugez fjalët që mbetën gjatë në kujtesë: “Ti je mentori im. Je si një baba për mua”.
Kur mësoi për situatën e studentit shqiptar, Cristiano Ronaldo ndërhyri për ta ndihmuar. Ai i dërgoi një letër Prokurorisë së Miami-Dade, ku kërkoi që çështja të mbyllej, duke e përshkruar Gjokën si një të ri të respektueshëm që kishte bërë një gabim pa qëllim të keq. Ronaldo theksoi se një moment i vetëm nuk duhej t’i shkatërronte të ardhmen një studenti. Pas kësaj ndërhyrjeje, akuzat ndaj Gjokës u rrëzuan.
Pas 13 vitesh, një tjetër mundësi për një takim mes tyre dukej pranë. Me kombëtaren e Portugalisë që po përgatitet në Palm Beach Gardens për Botërorin 2026, Ronald Gjoka kishte shpresuar të takohej sërish me idhullin e tij.
Por ëndrra e tij u ndërpre tragjikisht. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e konfirmoi nëna e tij, Malva, e cila i dha një përgjigje prekëse gazetarit portugez André Ventura, që po përpiqej të organizonte një takim mes Ronaldit dhe Cristiano Ronaldos.
“Roni do ta kishte dashur shumë këtë. Ai ndërroi jetë këtë të diel në një aksident me makinë. Ishte shumë i lumtur që Portugalia do të stërvitej këtu dhe shpresonte ta shihte edhe një herë idhullin e tij. Nëse keni mundësi të flisni me Cristiano Ronaldon, ju lutem falënderojeni për gjithçka që bëri për djalin tim”, u shpreh ajo.
Historia e Ronald Gjokës mbetet një kujtesë e fuqishme se një gjest i vogël mirësie mund të ketë ndikim të madh në jetën e një njeriu, edhe kur fati merr një kthesë të dhimbshme dhe të papritur.

Be First to Comment