Alarm për tregun e punës në Shqipëri: Emigrimi dhe plakja e popullsisë po zvogëlojnë fuqinë punëtore
Emigrimi masiv, plakja e popullsisë dhe pjesëmarrja e ulët në programet e trajnimit profesional po krijojnë gjithnjë e më shumë vështirësi për tregun e punës në Shqipëri. Ndërkohë, numri i vendeve të lira të punës po rritet me ritme të shpejta.
Sipas një raporti të OECD-së, popullsia rezidente e Shqipërisë ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Nga viti 2011 deri në vitin 2023, vendi ka humbur rreth 430 mijë banorë, një ulje prej afro 14%, duke e çuar numrin e popullsisë në rreth 2.4 milionë banorë.
Raporti “Indeksi i Politikave për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi 2026 – Profili Ekonomik i Shqipërisë” thekson se kjo rënie lidhet kryesisht me emigrimin e vazhdueshëm dhe uljen e lindjeve.
Por problemi për tregun e punës nuk lidhet vetëm me numrin e banorëve që janë larguar. Sipas të dhënave, mbi 1.2 milion shqiptarë jetojnë jashtë vendit, ndërsa norma e emigrimit ka arritur në 31.1%, një nga nivelet më të larta në rajon.
Tendenca e largimit pritet të vazhdojë. Një anketë e vitit 2023 tregoi se rreth 67% e personave në moshë pune do të konsideronin emigrimin nëse do t’u jepej mundësia, ndërsa rreth 13% deklaruan se kanë gjasa të largohen në vitet e ardhshme.
Një shqetësim tjetër është fakti se gjithnjë e më shumë po largohen punonjës të kualifikuar. Kjo ka shtuar vështirësitë e bizneseve për të gjetur specialistë. Rreth 95% e kompanive të anketuara kërkojnë më shumë masa nga qeveria për mbajtjen e talenteve dhe reduktimin e mungesave në tregun e punës.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria po përballet me një plakje të shpejtë të popullsisë. Mosha mesatare është rritur nga 35.5 vjeç në vitin 2011, në 44.3 vjeç në vitin 2024.
Sot, rreth një në pesë banorë është mbi 65 vjeç. Vetëm gjatë periudhës 2024-2025, numri i të moshuarve u rrit me mbi 21 mijë persona, ndërsa numri i të rinjve nga 15 deri në 29 vjeç ra me më shumë se 18 mijë.
Kombinimi i emigrimit dhe plakjes së popullsisë ka bërë që fuqia punëtore në Shqipëri të jetë tkurrur me 18.3% që nga viti 2011, duke reduktuar ndjeshëm numrin e personave që mund të punësohen nga bizneset.
Mungesa e trajnimeve profesionale thellon problemin
Një tjetër sfidë është niveli i ulët i trajnimit dhe rikualifikimit të punonjësve. Vetëm 1.6% e personave nga 25 deri në 64 vjeç morën pjesë në programe edukimi ose trajnimi gjatë vitit 2024.
Ky nivel është shumë më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian, ku pjesëmarrja arrin në 13.3%.
Ndërkohë, numri i vendeve të lira të punës po rritet. Në vitin 2023 Shqipëria regjistroi mbi 61 mijë vende vakante, një rritje prej 54% krahasuar me një vit më parë.
Pavarësisht kësaj, papunësia mbetet ende e lartë. Norma e papunësisë ishte 9.4% në vitin 2024, ndërsa papunësia afatgjatë arriti në 6.6%, shumë më tepër se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Sektorët me më shumë vende të lira pune janë industria, tregtia, si dhe aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor.
Sipas OECD-së, kombinimi i numrit të lartë të vendeve të lira dhe papunësisë së vazhdueshme tregon se problemi nuk është vetëm mungesa e punëkërkuesve, por një mospërputhje mes aftësive që kërkojnë bizneset dhe atyre që ofron fuqia aktuale punëtore.
Raporti paralajmëron se pa zgjerimin e programeve të trajnimit dhe rikualifikimit, veçanërisht në sektorët ku po krijohen më shumë vende pune, ky hendek mund të vazhdojë të rritet dhe të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

Be First to Comment