Skip to content

Lajm i rëndësishëm nga Bashkimi Europian për Shqipërinë, çfarë pritet më 14 korrik

Shqipëria pritet të shënojë më 14 korrik një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nëse shtetet anëtare japin miratimin përfundimtar gjatë ditëve në vijim, vendi mund të mbyllë paraprakisht tre kapitujt e parë negociues.

Ky zhvillim konfirmohet në një dokument zyrtar të qeverisë së Holandës, të përgatitur për mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GAC) të Bashkimit Evropian, e cila do të mbahet më 14 korrik. Burime diplomatike evropiane bëjnë të ditur se procesi po ecën sipas kalendarit të parashikuar.

Sipas dokumentit, Komisioni Evropian ka propozuar mbylljen paraprake të Kapitullit 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitullit 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitullit 30 – Marrëdhëniet me Jashtë.

Qeveria holandeze shpreh mbështetjen për këtë propozim, duke vlerësuar se Shqipëria ka përmbushur standardet e kërkuara për këta kapituj.

“Qeveria ndan vlerësimin se Shqipëria i ka përmbushur këto standarde dhe, për këtë arsye, synon të japë miratimin për mbylljen paraprake të këtyre kapitujve”, thuhet në dokument.

Nëse shtetet anëtare japin dritën jeshile, në kuadër të mbledhjes së Këshillit do të zhvillohet edhe një Konferencë Ndërqeveritare BE–Shqipëri, ku do të formalizohet zyrtarisht ky hap në procesin e negociatave.

Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, Shqipëria ka përmbushur kriteret në fushën e shkencës dhe kërkimit, arsimit dhe kulturës, si edhe ka avancuar në përafrimin e legjislacionit për marrëdhëniet me jashtë, duke përfshirë kontrollin e eksporteve dhe mekanizmat për shqyrtimin e investimeve të huaja.

Do t’ju ishim mirënjohës nëse do të na mbështesnit në mirëmbajtjen e faqes, duke klikuar mbi foton që gjendet më poshtë. Faleminderit për mbështetjen dhe mirëkuptimin!

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *