Evropa dhe Ballkani po përballen me një valë të fortë të nxehti, ndërsa temperaturat janë rritur ndjeshëm edhe në Shqipëri. Sipas meteorologëve, shkaku kryesor i kësaj situate është rikthimi i anticiklonit afrikan, një masë ajrore shumë e nxehtë që vjen nga Afrika e Veriut dhe sjell temperatura të larta në një pjesë të madhe të kontinentit.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ky fenomen është bërë më i shpeshtë vitet e fundit dhe lidhet me ndikimin e ndryshimeve klimatike, të cilat po favorizojnë episode më të gjata dhe më intensive të vapës.
Anticikloni transporton ajër të nxehtë drejt Evropës, duke krijuar mot të qëndrueshëm, mungesë reshjesh dhe rrezatim të fortë diellor. Këto kushte ndikojnë në tharjen e tokës, rritjen e temperaturave dhe shtimin e rrezikut për zjarre.
Ekspertët shpjegojnë se masa ajrore nis nga Afrika Veriore dhe përhapet drejt Spanjës, Italisë, Francës, Belgjikës, Holandës dhe më pas shtrihet në Mesdhe e Ballkan, duke prekur edhe Shqipërinë.
Meteorologët paralajmërojnë se vendet e Evropës Jugore dhe rajoni i Ballkanit mbeten ndër më të ekspozuarit ndaj valëve ekstreme të të nxehtit. Për këtë arsye, qytetarëve u këshillohet të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.

Be First to Comment