Ministrja serbe shkakton reagime me deklaratën për Kosovën
Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka shkaktuar reagime të shumta pas një deklarate të bërë gjatë një interviste për median serbe “Kurir”.
Gjatë intervistës, ministrja në qeverinë e presidentit Aleksandar Vuçiç deklaroi se, nëse do të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç, do të kishte ndërmarrë masa ekstreme ndaj Kosovës.
“Për të metat dhe gabimet tona, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, citohet të ketë thënë Paunoviç.
Kjo deklaratë ka ngjallur reagime të forta, veçanërisht për shkak të historisë së luftës në Kosovë gjatë viteve 1998–1999, kur forcat serbe u akuzuan për vrasje, dëbime masive dhe krime ndaj popullsisë civile shqiptare.
Gjatë luftës, mbi një milion shqiptarë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra civilë u vranë ose u zhdukën.
Deklarata e ministres serbe është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion publik. /KosovaPress

Be First to Comment