Pjesa e dytë e korrikut pritet të sjellë një valë të fortë të nxehti në Shqipëri, me temperatura që në disa zona do të arrijnë deri në 40°C.
Meteorologia Lajda Porja bëri të ditur se, pas ditëve me temperatura më pranë normales në fillim të muajit, moti do të ndryshojë duke nisur nga e marta, kur termometri do të shënojë një rritje të ndjeshme.
Sipas saj, temperaturat maksimale do të arrijnë në 37°C të martën dhe 38°C të mërkurën, ndërsa kulmi i të nxehtit pritet të regjistrohet të enjten dhe të premten, kur në disa qarqe të vendit vlerat mund të prekin edhe 40°C.
Më të ekspozuara ndaj vapës së fortë do të jenë qarqet e Shkodrës, Beratit, Gjirokastrës, Elbasanit, Tiranës, Fierit dhe Lushnjës. Ndërkohë, në zona të veçanta si Kopliku, Belshi, Cërriku, Ura Vajgurore dhe Lazarati, temperaturat mund të kalojnë edhe kufirin e 40 gradëve.
Porja theksoi se java do të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm dhe shumë i nxehtë, me temperatura të larta edhe përgjatë vijës bregdetare, ku priten deri në 36°C, ndërsa në zonat malore rreth 32°C.
Meteorologia u bëri apel qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht gjatë intervalit 11:00–16:00, kur rrezatimi diellor është më i fortë. Ajo këshilloi kufizimin e lëvizjeve të panevojshme, konsumimin e sa më shumë lëngjeve dhe shmangien e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell, sidomos për personat që punojnë në ambiente të hapura.
“Një temperaturë prej 40 gradësh e matur në hije korrespondon me rreth 46 gradë në diell”, theksoi Porja.

Be First to Comment