Klodiana Lala: Shqipëria në një pikë vendimtare, SPAK duhet të godasë zyrtarët e lartë dhe “të paprekshmit”
Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm politik dhe institucional, ku sipas saj qeveria e kryeministrit Edi Rama po përballet me një dobësim të pozitës së saj, si në planin e brendshëm ashtu edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë.
E ftuar në një studio televizive, Lala u shpreh se kryeministri Rama nuk e ka më të njëjtin kontroll mbi zhvillimet politike dhe narrativën publike si në vitet e mëparshme, ndërsa qytetarët, sipas saj, po marrin një rol më aktiv në përcaktimin e drejtimit të vendit.
Sipas gazetares, mbështetja ndërkombëtare ndaj kreut të qeverisë nuk është më në të njëjtin nivel si më parë, ndërsa disa iniciativa dhe vendime të mazhorancës, përfshirë marrëveshjen për kampin e Gjadrit, kanë sjellë debate dhe pasoja politike.
“Rama nuk është më ai lider që u thoshte shqiptarëve se e kishte rikthyer Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Ka pasur momente pozitive, por sot situata është ndryshe dhe ai nuk e ka më të njëjtën peshë ndërkombëtare”, u shpreh Lala.
Ajo theksoi se drejtësia dhe veçanërisht SPAK-u mbeten institucionet më të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Sipas saj, struktura e posaçme ka treguar se mund të veprojë edhe ndaj niveleve të larta të pushtetit, duke përmendur hetime ndaj zyrtarëve të rëndësishëm.
Lala nënvizoi se qytetarët nuk presin më vetëm goditje ndaj grupeve kriminale, por kërkojnë që drejtësia të shkojë edhe te zyrtarët e lartë që dyshohen për korrupsion apo abuzim me fondet publike.
“Qytetarët shqiptarë duan të dinë cilët janë zyrtarët e lartë që do të hetohen, cilëve do t’u merren pasuritë dhe kush do të mbajë përgjegjësi për abuzimet”, tha ajo.
Gazetarja vlerësoi se misioni i SPAK-ut do të konsiderohet i përmbushur nëse arrin të thyejë kulturën e pandëshkueshmërisë dhe të prekë personat që për vite janë konsideruar të paprekshëm.
“Kur drejtësia prek një ministër, deputet apo një zyrtar të lartë, atëherë ndryshon perceptimi i qytetarëve. Pikërisht aty matet suksesi i saj”, u shpreh Lala.
Sipas saj, Shqipëria ndodhet në një periudhë të vështirë dhe institucionet e drejtësisë kanë një përgjegjësi historike për të rikthyer besimin e qytetarëve te ligji dhe barazia përpara tij.


Be First to Comment