Reforma e re territoriale, PS synon uljen e numrit të bashkive – debate mes mazhorancës dhe opozitës
Harta administrative e Shqipërisë pritet të ndryshojë sërish, pasi mazhoranca socialiste po avancon me reformën e re administrativo-territoriale, e cila synon reduktimin e numrit të bashkive para zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Sipas analizës së ekspertëve të angazhuar nga Komisioni i Posaçëm, rreth 14 bashki rezultojnë me vështirësi ekonomike, financiare, funksionale dhe demografike, duke u konsideruar si kandidate për bashkim me njësi të tjera vendore. Qarqet që preken më shumë janë Gjirokastra, Berati, Elbasani, Shkodra dhe Fieri, ndërsa nuk përjashtohen ndryshime edhe në zonën e Tiranës. Megjithatë, disa bashki me status të veçantë, për shkak të identitetit historik apo të pakicave kombëtare, parashikohet të mbeten të pandryshuara.
Mazhoranca synon që reforma të miratohet brenda muajit tetor, në mënyrë që zgjedhjet lokale të vitit 2027 të zhvillohen me hartën e re administrative.
Nga ana tjetër, opozita kundërshton projektin. Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, argumenton se reforma e vitit 2015 nuk solli rezultatet e premtuara, por përkundrazi rriti centralizimin, dobësoi përfaqësimin lokal dhe përshpejtoi shpopullimin e shumë zonave. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për më shumë bashki funksionale dhe jo për reduktimin e tyre.
Boçi rendit disa arsye kryesore kundër shkrirjes së bashkive, duke theksuar se qytetarët janë larg qendrave administrative, investimet janë përqendruar në qytetet kryesore, ndërsa zonat periferike dhe malore kanë mbetur pas. Ai shton se një bashki më e vogël, e mbështetur financiarisht dhe pranë komunitetit, garanton shërbime më cilësore dhe përfaqësim më të mirë.
Ndërkohë, bashkëkryetari socialist i Komisionit, Arbjan Mazniku, deklaron se reforma mbështetet në analiza ekonomike, financiare, sociale dhe demografike. Sipas tij, rreth 40% e bashkive nuk arrijnë të ofrojnë as gjysmën e shërbimeve që u kërkon ligji, për shkak të mungesës së burimeve financiare dhe kapaciteteve administrative.
Mazniku bëri të ditur se një nga opsionet që po shqyrtohet është bashkimi i Bashkisë së Prrenjasit me atë të Librazhdit, ndërsa për raste të tjera vendimet do të merren duke marrë në konsideratë distancat gjeografike dhe lidhjet social-kulturore mes komuniteteve.
Ai theksoi gjithashtu se Tirana kërkon një trajtim të veçantë për shkak të peshës së saj në popullsi dhe ekonomi, duke lënë të hapur mundësinë e ndryshimeve edhe në zonat përreth kryeqytetit.
Pavarësisht debatit politik, mazhoranca mbetet e vendosur që reforma të miratohet në kohë për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndërsa opozita vijon ta kundërshtojë, duke kërkuar një model që forcon pushtetin vendor dhe afron shërbimet me qytetarët.


Be First to Comment