Skip to content

Nuk janë Saranda as Ksamili, ky është destinacioni që po tërheq më shumë turistë në Shqipëri

Tirana, destinacioni më i vizituar nga turistët e huaj në Shqipëri, lë pas Sarandën dhe Ksamili

Sipas një sondazhi të realizuar nga Data Centrum dhe të prezantuar në emisionin “Now me Erla Mëhilli”, kryeqyteti shqiptar rezulton të jetë destinacioni më i vizituar nga turistët e huaj në vend.

Të dhënat tregojnë se Tirana ka lënë pas edhe zona të njohura bregdetare si Saranda dhe Ksamili. Sipas përfaqësuesve të Data Centrum, renditja është ndërtuar mbi përgjigjet e drejtpërdrejta të turistëve, të cilët kanë deklaruar vetë vendet që kanë vizituar gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri. Për këtë arsye, disa zona janë grupuar sipas karakteristikave turistike.

Ekspertët shpjegojnë se rezultati i lartë i Tiranës lidhet me faktin se shumë vizitorë e përfshijnë kryeqytetin në itinerarin e tyre, qoftë edhe për qëndrime të shkurtra, përpara se të udhëtojnë drejt destinacioneve të tjera.

Sipas sondazhit, 71% e turistëve kanë vizituar Tiranën, duke e renditur atë në vendin e parë.

Në vendin e dytë renditen Saranda, Ksamili dhe plazhet e jugut, të vizituara nga 43% e të anketuarve. Ndërsa Riviera shqiptare, ku përfshihen Dhërmiu, Himara, Borshi dhe Qeparoi, është vizituar nga 37% e turistëve.

Destinacionet e mbrojtura nga UNESCO, si Gjirokastra, Berati dhe Butrinti, kanë tërhequr 32% të vizitorëve, ndërsa zona e Durrësit, Golemit dhe Ishmit është vizituar nga 30% e tyre.

Lista vijon me:

  • Shkodra – 18%;
  • Fshatrat turistike – 13%;
  • Kruja – 8%;
  • Liqenet dhe lumenjtë, përfshirë Pogradecin – 6%;
  • Tepelena, Përmeti dhe Këlcyra – 5%;
  • Plazhet e veriut – 5%;
  • Korça dhe zona e Linës në Pogradec – 4%.

Rezultatet tregojnë se krahas bregdetit, edhe turizmi urban dhe ai kulturor po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zgjedhjet e turistëve që vizitojnë Shqipërinë.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *