**Qeveria miraton paketën e re sociale: Dyfishohen pagesat për mijëra fëmijë me aftësi të kufizuara**
Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë të re masash sociale, e cila synon të rrisë mbështetjen financiare për personat me aftësi të kufizuara, familjet e tyre dhe ndihmësit personalë.
Një nga ndryshimet kryesore të kësaj pakete është **dyfishimi i pagesës për 10,240 fëmijë me aftësi të kufizuara**, me një kosto shtesë prej rreth **750 milionë lekësh** nga Buxheti i Shtetit. Masa pritet të hyjë në fuqi me efekte financiare nga **1 korriku 2026**.
Sipas qeverisë, rritja e mbështetjes financiare synon të lehtësojë barrën ekonomike të familjeve, të përmirësojë kushtet e jetesës së fëmijëve dhe të nxisë ndërhyrjen e hershme, zhvillimin e aftësive dhe përfshirjen e tyre në shoqëri.
Një tjetër lehtësi e parashikuar është heqja e detyrimit për dorëzimin çdo vit të dokumentacionit mjekësor pranë komisioneve të vlerësimit, në rastet kur përfitimi është përcaktuar për një periudhë disa-vjeçare. Kjo, sipas ekzekutivit, do të reduktojë procedurat administrative dhe barrën për përfituesit.
Paketa përfshin gjithashtu njohjen e periudhave të punës së **14,657 ndihmësve personalë** si periudha kontributive për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Kjo masë, me një efekt financiar shtesë prej rreth **674 milionë lekësh**, do të nisë zbatimin nga **1 shtatori 2026**.
Me këtë vendim, qeveria synon të forcojë shërbimet e kujdesit brenda familjes dhe të sigurojë më shumë mbështetje për personat që ofrojnë asistencë të përditshme për individët me aftësi të kufizuara.
Ndryshimet e reja prekin gjithashtu rregullat për pagesat e personave me aftësi të kufizuara, përfitimet për personat e verbër, procedurat e vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe masat e mbrojtjes sociale për gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë deri në moshën 18-vjeçare.


Be First to Comment