Rama nga Thethi: “Brenda dy javësh nis ndërtimi i rrugës së Dukagjinit”
Nga Thethi i Shkodrës, kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se brenda dy javësh pritet të nisë zyrtarisht puna për ndërtimin e rrugës së Dukagjinit, një projekt që do të realizohet përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Rama tha se përgatitja e këtij investimi ka kërkuar kohë, pasi është dashur të përfundojnë të gjitha procedurat teknike dhe fazat e projektimit përpara nisjes së punimeve në terren.
Gjatë deklaratës së tij, kreu i qeverisë foli edhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe lidhjen mes rritjes ekonomike dhe investimeve publike. Ai deklaroi se gjatë viteve të fundit ekonomia shqiptare ka pësuar rritje të ndjeshme, duke kaluar nga një prodhim i përgjithshëm prej më pak se 10 miliardë eurosh në mbi 27 miliardë euro.
Sipas Ramës, objektivi i qeverisë është që ekonomia e vendit të arrijë në 35 miliardë euro, pasi sipas tij një ekonomi më e fortë krijon më shumë mundësi për financimin e projekteve infrastrukturore dhe shërbimeve publike.
“Për dy javë nis rruga e Dukagjinit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Është dashur kohë për projektin, sepse çdo gjë duhet të bëhet sipas mundësive dhe procedurave. Rritja ekonomike na jep mundësi të financojmë më shumë investime”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se rruga e Dukagjinit ka rëndësi të veçantë për banorët e zonës dhe për zhvillimin e turizmit në veri të Shqipërisë. Sipas tij, ky investim synon të përmirësojë lidhjet rrugore, të lehtësojë lëvizjen dhe të krijojë më shumë mundësi për ekonominë lokale.


Be First to Comment