Stuhi të fuqishme pritet të godasin Shqipërinë të premten, me reshje intensive dhe erëra të forta në shumë zona të vendit.
Sipas meteorologes Tanja Porja, vendi do të përfshihet nga stuhi afatshkurtra, por me intensitet të lartë, të cilat mund të krijojnë situata problematike në disa qarqe. Ajo theksoi se këto stuhi formohen në mënyrë të izoluar dhe mund të godasin papritur zona të caktuara, duke sjellë reshje të dendura dhe erëra të fuqishme.
Më të rrezikuara parashikohen zonat qendrore dhe juglindore të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Durrësin, Fushë-Krujën, Elbasanin, Librazhdin, Pogradecin, Korçën, Ersekën, Devollin, si edhe Përmetin e Gjirokastrën. Megjithatë, sipas parashikimeve, i gjithë territori mbetet nën rrezikun e stuhive.
Edhe pse fenomenet do të zgjasin vetëm rreth 20 deri në 40 minuta, ato pritet të shoqërohen me sasi shumë të mëdha reshjesh në pak kohë, si dhe me erëra të forta, duke rritur rrezikun për përmbytje të menjëhershme dhe probleme në qarkullim. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë ditës së premte, veçanërisht në zonat ku pritet aktiviteti më intensiv i stuhive.


Be First to Comment