Çmimet e karburanteve në Shqipëri kanë shënuar një tjetër rritje të ndjeshme, duke arritur nivele të krahasueshme me periudhën e krizës energjetike të shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme.
Pas shfuqizimit të Bordit të Transparencës më 19 qershor, çmimi i naftës u rrit në 176 lekë për litër. Megjithatë, përshkallëzimi i tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit ka ndikuar sërish në tregjet ndërkombëtare, duke sjellë një valë të re shtrenjtimesh. Në Shqipëri, nafta u shit me 196 lekë për litër më 20 korrik, ndërsa këtë të mërkurë çmimi ka arritur në 206 lekë për litër.
Rritja pasqyrohet edhe në bursën Platts të Mesdheut, e cila shërben si pikë reference për importuesit shqiptarë. Sipas të dhënave, çmimi i importit u rrit nga 1,206 dollarë për ton më 14 korrik në 1,274 dollarë për ton më 21 korrik. Ndërkohë, nafta Brent po tregtohet rreth 94 dollarë për fuçi, duke sinjalizuar se presioni mbi çmimet mund të vazhdojë.
Përballë kësaj situate, Shoqata e Transportit Ndërqytetas ka bërë të ditur se do t’u kërkojë institucioneve mbështetje financiare përmes subvencionimit të karburantit. Gjatë krizës së mëparshme, qeveria kishte subvencionuar operatorët e transportit urban dhe ndërqytetas me 50 lekë për litër, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të ndërmerren masa të ngjashme edhe këtë herë.
Rritja e çmimeve nuk është e kufizuar vetëm në Shqipëri. Edhe vendet e rajonit kanë reaguar me masa mbështetëse. Serbia ka rikthyer tavanet për çmimet e karburanteve pas rritjes së tyre deri në 1.87 euro për litër, ndërsa Mali i Zi ka ulur përkohësisht akcizën, duke mbajtur çmimin e naftës në rreth 1.65 euro për litër.
Megjithatë, Shqipëria vazhdon të kryesojë rajonin për çmimin më të lartë të naftës. Sipas operatorëve të tregut, kjo lidhet me barrën e lartë fiskale, pasi rreth gjysma e çmimit final përbëhet nga taksat. Një nga komponentët kryesorë mbetet taksa e qarkullimit, e cila është 27 lekë për litër.


Be First to Comment