Shkencëtarja shqiptare flet për jetën, vdekjen dhe të ardhmen e shkencës: “Teknikisht mund të rikrijohet trupi, por jo identiteti”
Shkencëtarja shqiptare me bazë në Londër, Rudina Tahiri, e cila merret me kërkime në fushën e terapive qelizore, ka ndarë disa reflektime interesante gjatë një interviste, ku foli për shkencën, natyrën e jetës dhe kufijtë e njohurive njerëzore.
Gjatë bisedës, Tahiri u ndal te mënyra se si funksionon trupi i njeriut dhe kompleksiteti i organizmit njerëzor, duke theksuar se shumë pyetje vazhdojnë të sfidojnë shkencën.
Sipas saj, jeta dhe vdekja janë pjesë e një cikli natyror, ndërsa marrëdhënia mes trupit dhe ndërgjegjes mbetet një temë që ngjall debat jo vetëm në shkencë, por edhe në filozofi.
Duke folur për ADN-në, ajo shpjegoi se informacioni gjenetik mbetet i ruajtur edhe pas vdekjes dhe se, nga pikëpamja teknike, shkenca mund të arrijë të rikrijojë materiale biologjike. Megjithatë, ajo theksoi se kjo nuk do të nënkuptonte rikthimin e të njëjtit person.
“Teknikisht mund të rikrijohet trupi, por identiteti njerëzor është shumë më kompleks sesa ADN-ja,” u shpreh Tahiri.
Ajo ndau edhe disa përvoja nga puna e saj në laborator, duke treguar se studimi i qelizave dhe proceseve biologjike e ka bërë të reflektojë mbi kompleksitetin dhe harmoninë e organizmit njerëzor.
Në të njëjtën kohë, shkencëtarja u shpreh optimiste për zhvillimet e ardhshme në fushën e terapive qelizore, duke vlerësuar se në vitet e ardhshme ato mund të ndihmojnë në trajtimin e shumë sëmundjeve dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës.
Megjithatë, ajo theksoi se, pavarësisht përparimeve të shkencës, vdekja mbetet një pjesë e pashmangshme e ciklit të jetës, ndërsa kërkimet vazhdojnë të synojnë një jetë më të shëndetshme dhe jo pavdekësinë.


Be First to Comment