Çmimet e karburanteve shënojnë rritje të fortë në Gjermani, alarmi për 3 euro për litër
Shoferët në Gjermani janë përballur me një rritje të papritur të çmimeve të karburanteve, ku në disa pika të furnizimit çmimi për litër është rritur me rreth 20 centë brenda vetëm pak minutash.
Në Kirchheim, çmimi i naftës u rrit nga 2.32 euro në 2.62 euro për litër gjatë mesditës. Edhe benzina Super E10 pësoi një rritje të ndjeshme, duke kaluar nga 2.229 në 2.469 euro për litër.
Rritje të ngjashme janë raportuar edhe në qytete të tjera, përfshirë Këlnin, ku çmimet ndryshuan me një ritëm të pazakontë.
Situata ka shkaktuar pakënaqësi te drejtuesit e automjeteve. Një prej tyre, e cila punon me turne, është shprehur e revoltuar për rritjen e menjëhershme të çmimeve, duke kërkuar ndërhyrje nga qeveria.
Shkak kryesor për këtë situatë konsiderohet rritja e fortë e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës Brent kaloi mbi 107 dollarë për fuçi, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme dhe vështirësitë në transportin detar po shtojnë presionin mbi tregun energjetik.
Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës, është përballur me ndërprerje serioze të lundrimit. Edhe kalimi Bab el-Mandeb është nën presion, duke rritur shqetësimet për furnizimet globale.
Ndërkohë, të dielën Super E10 arriti një tjetër rekord, me një çmim mesatar prej 2.273 eurosh për litër, ndërsa nafta u shit mesatarisht me 2.404 euro.
Shoqata e Stacioneve të Karburantit paralajmëron se rritjet mund të vazhdojnë edhe më tej.
Edhe kryeekonomisti i ING, Carsten Brzeski, ka paralajmëruar se nëse çmimi i naftës mbetet për një periudhë të gjatë mbi 110 dollarë për fuçi, çmimet e karburanteve mund t’i afrohen nivelit alarmues prej 3 eurosh për litër.
