Pas takimit mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, nuk është arritur ende një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja në Kosovë.
Kryetari i Vetëvendosjes bëri të ditur se bisedimet do të vazhdojnë, duke theksuar se ekziston gatishmëri për të vijuar dialogun politik me LDK-në në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
“Nuk kemi arritur marrëveshje me LDK-në për krijimin e institucioneve të reja”, deklaroi Kurti, ndërsa shtoi se do të ketë takime të tjera me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Një nga çështjet më të ndërlikuara në negociata mbetet posti i Presidentit të Republikës, i cili shihet si një nga pikat kryesore ku palët duhet të gjejnë kompromis.
Takimi zhvillohet në një periudhë të rëndësishme për politikën kosovare, ndërsa vendi vijon procesin e krijimit dhe funksionalizimit të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare.
Edhe pse nuk pati një marrëveshje konkrete, palët kanë lënë të kuptohet se komunikimi do të vazhdojë dhe se negociatat do të vijojnë në ditët e ardhshme.
Tashmë vëmendja është përqendruar te takimet e radhës, ku pritet të shihet nëse Vetëvendosje dhe LDK do të arrijnë të kapërcejnë dallimet dhe të dakordohen për një marrëveshje politike.


Be First to Comment