Krasniqi flet për një koalicion të mundshëm LDK–Vetëvendosje: Përmend edhe ndarjen e posteve
Gazetari Vullnet Krasniqi ka deklaruar se, bazuar në informacionet që ka, brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po zhvillohen diskutime që mund të çojnë drejt një marrëveshjeje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në emisionin “Kosova Today”, ai tha se një pjesë e deputetëve të LDK-së, të cilët deri më tani janë konsideruar kundërshtarë të bashkëpunimit me kryeministrin Albin Kurti, mund të ndryshojnë qëndrim nëse arrihet një marrëveshje politike.
Sipas Krasniqit, disa emra brenda LDK-së mund të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme.
«“Ajo pjesë e LDK-së që ka qenë kategorikisht kundër Kurtit mund të mos mbetet më në të njëjtin pozicion. Ka emra që mund të marrin poste ministrore. Hykmete Bajrami është një emër që pëlqehet nga Albin Kurti, ndërsa Armend Zemaj mund të jetë një prej emrave që do ta përfaqësojnë LDK-në. Sipas informacioneve që kam, Armend Zemaj tashmë është pajtuar me idenë për të hyrë në koalicion dhe për ta vazhduar rrugëtimin politik me Lumir Abdixhikun”, deklaroi ai.»
Krasniqi foli edhe për ndarjen e mundshme të posteve institucionale, duke përmendur emrin e ish-presidentes Vjosa Osmani si kandidate për kryetare të Kuvendit.
Ai tha se, sipas informacioneve të tij, ekziston një pajtueshmëri në parim që Osmani të drejtojë Kuvendin dhe, për një periudhë të caktuar, të ushtrojë edhe detyrën e presidentes, ndërsa Glauk Konjufca do të mund të ishte alternativë për postin e kreut të shtetit, në një fazë të mëvonshme.
Po ashtu, Krasniqi theksoi se në qarqet politike po përflitet edhe mundësia që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të marrë postin e zëvendëskryeministrit në rast se arrihet një marrëveshje për bashkëqeverisje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga LDK-ja apo Vetëvendosje lidhur me këto pretendime, të cilat mbeten pjesë e deklaratave dhe informacioneve të bëra publike nga gazetari Vullnet Krasniqi.


Be First to Comment