Alarm sigurie në Gjermani: Dron me eksploziv gjendet pranë një avioni ukrainas, pezullohen fluturimet
Një incident i rëndë sigurie është regjistruar në aeroportin Leipzig/Halle në Gjermani, ku një dron i pajisur me lëndë shpërthyese u zbulua pranë një avioni transporti ukrainas të tipit Antonov.
Sipas raportimeve, droni kishte të montuar material shpërthyes dhe një detonator, por pajisja nuk shpërtheu pasi mekanizmi i ndezjes rezultoi i dëmtuar. Një ekip i specializuar për çaktivizimin e bombave ndërhyri menjëherë dhe neutralizoi rrezikun.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa në proces janë përfshirë edhe ekspertë të sigurisë nga NATO. Për arsye sigurie, aeroporti u mbyll përkohësisht gjatë natës, duke shkaktuar vonesa në disa fluturime. Operacionet ajrore rifilluan vetëm në orët e para të mëngjesit.
Ndërkohë, zhvillimet diplomatike lidhur me luftën në Ukrainë vijojnë. Sipas raportimeve të Financial Times, presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar kërkesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për furnizime të reja me raketa interceptuese Patriot, duke argumentuar se SHBA duhet t’i ruajë këto sisteme për nevojat e veta të sigurisë.
Nga ana e tij, Zelensky ka paralajmëruar se rezervat e sistemeve të mbrojtjes ajrore janë zvogëluar ndjeshëm dhe u ka bërë thirrje aleatëve të përshpejtojnë dërgesat për të mbrojtur qytetet ukrainase nga sulmet ajrore.
Në terren, autoritetet ukrainase raportojnë se sulmet ruse ndaj Kievit kanë shkaktuar viktima dhe dhjetëra të plagosur. Zyrtarët ukrainas akuzojnë Rusinë për goditje ndaj zonave civile, ndërsa reagime kanë ardhur edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Nga ana tjetër, forcat ukrainase kanë njoftuar për një sulm me dron ndaj një zone industriale në qytetin rus të Ufas. Sipas autoriteteve lokale, nuk pati viktima, por u regjistruan dëme materiale dhe një zjarr në zonën e goditur.
Në përgjigje të zhvillimeve të fundit, presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar krijimin e një strukture të re për forcimin e mbrojtjes së prapavijës dhe koordinimin e logjistikës ushtarake.
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vijon pa shenja të një armëpushimi, ndërsa situata mbetet e tensionuar si në frontin ushtarak, ashtu edhe në atë diplomatik.


Be First to Comment