Skip to content

Kthesë e re politike, sigurohen nënshkrimet

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit pritet të mbahet sonte, sigurohen nënshkrimet

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka bërë të ditur se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet sonte.

Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Kadrijaj deklaroi se deputetët do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit, ndërsa tashmë janë siguruar edhe nënshkrimet e nevojshme për zhvillimin e seancës.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundon sonte, në përputhje me përcaktimet e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka pasur njoftim zyrtar nëse do të vazhdojë seanca konstituive, e cila u ndërpre të enjten.

Seanca u ndërpre pas kërkesës së Kurtit

Seanca e fundit u ndërpre pas kërkesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për zhvillimin e konsultimeve me partitë politike, me synim arritjen e një marrëveshjeje.

Deri tani, Kuvendi nuk ka njoftuar zyrtarisht për orën se kur pritet të vazhdojë seanca.

Në rast se seanca nuk zhvillohet dhe Kuvendi nuk arrin të përfundojë procesin e konstituimit brenda afatit të përcaktuar, mund të pasojnë zhvillime të reja në aspektin juridik dhe politik. Çështja pritet të kërkojë interpretim nga institucionet kompetente, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Published inNews Shqip