Ngjarje e rëndë në Korçë: 20-vjeçari humb jetën pasi u qëllua me armë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Korçës më 8 gusht, ku 20-vjeçari Joan Zuko dyshohet se u vra me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, i riu është qëlluar nga një person që dyshohet se ishte shoku i tij. Ngjarja ka ndodhur në rrethana ende nën hetim, ndërsa policia vijon punën për zbardhjen e plotë të saj.
Joan Zuko kishte qenë pjesë e akademisë së Skënderbeut deri në vitin 2017, ku luante si portier me ekipin U-15. Aktualisht, ai ishte pjesëtar i Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Sipas të dhënave paraprake, autori dyshohet se e ka ndjekur të riun. Në përpjekje për t’u larguar, Zuko është futur në një pallat, por autori dyshohet se e ka ndjekur dhe e ka qëlluar brenda ambienteve të ndërtesës.
Burime bëjnë me dije se viktima dhe autori njiheshin prej kohësh dhe ishin rritur bashkë. Autori dyshohet se ka pasur precedentë të mëparshëm penalë, përfshirë raste të lidhura me armëmbajtjen pa leje dhe plagosjen.
Policia ka bërë identifikimin e autorit të dyshuar dhe po vijon kërkimet për kapjen e tij. Në disa zona janë ngritur postblloqe, ndërsa kontrollet po zhvillohen në kuadër të operacionit për arrestimin e të dyshuarit.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.
