Pamje shqetësuese nga Gjiri i Lalzit: Dyshohet për derdhje të ujërave të zeza në det
Pamje të publikuara të dielën në rrjetet sociale kanë ngritur shqetësime për ndotjen e bregdetit në zonën e Gjirit të Lalzit.
Në pamjet e publikuara pretendohet se ujëra të ndotura derdhen pranë bregdetit nga një prej komplekseve në zonë, duke prekur një hapësirë që gjatë sezonit veror frekuentohet nga një numër i madh pushuesish.
Rasti ka ngjallur reagime dhe shqetësim për gjendjen e mjedisit dhe cilësinë e ujërave në një nga zonat turistike të vendit. Megjithatë, rrethanat konkrete dhe burimi i shkarkimit mbeten për t’u verifikuar nga institucionet përgjegjëse.
Problematika e trajtimit të ujërave të ndotura mbetet një sfidë e rëndësishme për Shqipërinë. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, vetëm 12.6% e popullsisë rezultonte e lidhur me impiante që ofrojnë të paktën trajtim dytësor të ujërave të ndotura.
Ky tregues i referohet pjesës së popullsisë që është e lidhur me sisteme ku ujërat e ndotura i nënshtrohen të paktën trajtimit biologjik përpara shkarkimit në mjedis.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një rënie të ndjeshme të këtij treguesi gjatë viteve të fundit. Në vitin 2018, përqindja ishte 33.6%, ndërsa në vitin 2020 zbriti në 30.9%. Në vitin 2024, ajo rezultoi vetëm 12.6%.
Krahasuar me vitin 2018, bëhet fjalë për një ulje prej rreth 21 pikë përqindjeje, duke nxjerrë në pah sfidat që vazhdojnë të ekzistojnë në infrastrukturën dhe trajtimin e ujërave të ndotura.
Pamjet nga Gjiri i Lalzit rikthejnë në vëmendje nevojën për kontrolle dhe verifikime të rregullta të shkarkimeve në zonat bregdetare, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
VIDEO:
