Seri tërmetesh tronditin Granadën, evakuohen qendra tregtare dhe hotele
Një seri prej shtatë tërmetesh ka goditur të martën provincën e Granadës në Spanjë, duke shkaktuar panik te qytetarët dhe duke detyruar autoritetet të evakuojnë përkohësisht qendra tregtare, hotele dhe disa ndërtesa të tjera, si masë sigurie.
Lëkundja më e fortë arriti magnitudën 4.8 dhe e kishte epiqendrën pranë qytetit Gohar, në një zonë që ishte goditur edhe të shtunën nga një tërmet me magnitudë 5.0. Pas goditjes kryesore vijuan disa pasgoditje, ndërsa autoritetet e Andaluzisë konfirmuan se në total u regjistruan shtatë lëkundje, katër prej të cilave me magnitudë mbi 4.0.
Aktiviteti i shtuar sizmik ndikoi edhe në funksionimin e disa shërbimeve shëndetësore. Shërbimi Shëndetësor i Andaluzisë pezulloi përkohësisht disa aktivitete në qendrat shëndetësore të Granadës. Vizitat dhe ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara u shtynë, ndërsa urgjencat dhe shërbimet onkologjike vijuan normalisht.
Nga tërmetet, tre persona kanë mbetur të plagosur lehtë, përfshirë një të mitur që u transportua në spital. Sipas autoriteteve, dëmtimet u shkaktuan nga rënia e materialeve dhe pjesëve të ndërtesave gjatë lëkundjeve.
Shërbimet e emergjencës raportuan mbi 500 telefonata nga qytetarët pas tërmetit, ndërsa ekipet në terren vijuan kontrollet për të evidentuar dëme të mundshme.
Granada ka përjetuar një periudhë me aktivitet të shtuar sizmik gjatë ditëve të fundit. Sipas Institutit Kombëtar Gjeografik të Spanjës, vetëm gjatë javës së kaluar në zonën e Vega de Granada dhe pjesën jugore të rajonit metropolitan janë regjistruar më shumë se 30 tërmete, shumica me magnitudë të ulët.
